Shejkhul Islam Ahmed bin Tejmijeh (v. 728)
Minhexh-us-Sunnen En-Nebeuijeh (2/325-226)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Me këtë thënie ai e mohon shikimin në Allahun duke u bazuar në argumentin se Allahu nuk ndodhet në asnjë drejtim. Për këtë çështje kanë pasur mospajtime ata që e kanë pohuar shikimin. Shumica thonë atë që është transmetuar autentikisht nga profeti ﷺ, konkretisht hadithi i Ebu Hurejrës -radijAllahu anhu-:
“Njerëzit thanë: “O i dërguari i Allahut, a do ta shohim Zotin tonë në ditën e gjykimit?”
Ai ﷺ tha: “A keni vështirësi ta shikoni hënën e plotë në një natë pa re?”
Ata thanë: “Jo, o i dërguari i Allahut.”
Ai ﷺ tha: “A keni vështirësi ta shikoni diellin në një ditë pa re?”
Ata thanë: “Jo.”
Ai ﷺ tha: “Ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç po e shikoni hënën.”
Transmeton Bukhari (806).
Ky hadith është transmetuar si nga Bukhari ashtu edhe nga Muslimi, dhe shumë të tjerë.
Ky hadith është transmetuar nga shumë rrugë, aq sa dijetarët e konsiderojnë muteuatir (të transmetuar në mënyrë masive që nuk lë vend për dyshim). Janë unanimë për autenticitetin e tij dhe dijetarë të mëdhenj si Ebu Hasan Ed-Darakutni, Ebu Nuajm El-Asbahani dhe Ebu Bekr El-Axhuri kanë përmbledhur rrugët e transmetimit të tij. Dijetarët kuptojnë se shumësia e këtyre transmetimeve tregon prerazi se i dërguari ﷺ e ka thënë këtë hadith.
Ndërsa disa të tjerë kanë thënë se Allahu do të shikohet por jo në ndonjë drejtim të caktuar. Me fjalë të tjera shikuesi nuk do ta shohë Atë as përpara, as prapa, as djathtas, as majtas, as sipër dhe as poshtë. Ky mendim është i njohur te esharitë e mëvonshëm dhe buron nga mospajtimi i tyre rreth çështjes nëse Krijuesi i Madhëruar është mbi arsh apo jo.