“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Të folurit e Allahut është prej cilësive që aludojnë në përsosmërinë e Tij

Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-´Izz El-Hanefi (v. 792)
Sherhul-Akidetit-Tahauijjeh 1/256-258
Përktheu: ValdetGashi
www.perlatmuslimane.com

Të cilësuarit e Allahut se “Ai flet”, është prej cilësive që aludojnë në përsosmërinë e Tij. Kurse e kundërta e kësaj (që të mos flas) është prej cilësive të mangëta.

Thotë Allahu: 

“Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës.” El-A’raf, 7:148

Adhuruesit e viçit në kohën e Musait alejhis-selam, edhe pse kishin bërë kufër, kishin njohuri mbi Allahun më shumë sesa Mu’tezilet e këtij ummeti! Ngase ata nuk i thanë Musait alejhis-selam: “Zoti yt nuk flet”.

Kurse, Allahu -te ala- iu tha në lidhje me viçin e adhuruar: 

 “Vallë, a nuk e shihnin se viçi nuk u përgjigjej atyre në asnjë fjalë, as mund t’u bënte dëm e as dobi?” Taha, 20:89

Pra mohimi i pamundësisë që ta kthej fjalën, gjegjësisht mohimi se ai nuk mund t’u fliste atyre, ishte argument që viçi nuk ishte Zot dhe as që meriton të adhurohet.

Ajo që më së shumti u ngjall dyshim të tjerëve (grupeve të devijuara në këtë çështje) është se ata thonë: “Konfirmimi i kësaj cilësie sjell ngjasimin e Allahut me krijesat dhe e shtyn njeriun të përfytyrojë një formë të caktuar të Allahut.”

Përgjigja ndaj kësaj është: “Ne themi se Allahu flet ashtu siç i takon Madhërisë së Tij”.

Me këtë refuzohet dyshimi i tyre.

Shih sesi thotë Allahu -te ala-: 

 “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” Jasin, 36:65

Pra ne besojmë se këto gjymtyrë do të flasin, por mënyrën se si e bëjnë këtë nuk e dimë.

Gjithashtu, Allahu -te ala- thotë: 

“Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni”.” Fussilet, 41:21

Dihet nga hadithet siç është konfirmuar saktësisht, për bërjen tesbih të ushqimit[1] dhe selamim (përshëndetjen) që guri ia jepte profetit ﷺ[2]. Që të dyja këto pa pasur gojë u del zë që dëgjohet.

Thotë Allahu:

 “E Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt.” En-Nisa, 4:164

Dhe thotë Allahu:

“Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të.” El-A’raf, 7:143


[1] Transmeton Buhariu (3579) nga Ibn Mes’udi -radijAllahu anhuma- i cili ka thënë: “Ne dëgjonim tesbihun e ushqimit i cili hahej. Do të thotë ushqimit i cili ishte në duar të profetit ﷺ.”

[2] Xhabir bin Semurah -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë: “Unë e njoh një gur në Mekë që më përshëndeste gjithnjë para se të më vinte shpallja. Me të vërtetë, e njoh edhe tani.”

 

Shpërndaje: