Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Urdhëri i Shafeiut për t’iu përmbajtur sunnetit

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 44-47

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

3 – Esh-Shafei -rahimehullah-.

Sa i përket imam Shafeiut, transmetimet e tij janë edhe më të shumta dhe më të bukura1, dhe po ashtu pasuesit e tij që i praktikojnë ato janë më shumë në numër.

Ai ndër të tjera tha:

Sunnetet  e  të  dërguarit  ﷺ sikurse  na arrijnë, ashtu  edhe  i  ikin  secilit prej  nesh.  Prandaj, çfarëdo  që  të them dhe çfarëdo baze unë mund të shtoj që nuk është në përputhje me të dërguarin e Allahut  ﷺ, atëherë janë fjalët e të dërguarit të Allahut ﷺ që merren, dhe ato bëhen edhe mendimi im.”2

2 – “Muslimanët janë unanim se nëse një sunnet i të dërguarit të Allahut ﷺ i qartësohet një personi, atij nuk i lejohet që ta braktisë atë për një mendim tjetër.”3

3 – “Nëse gjeni në librin tim diçka që nuk është në përputhje me sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ, ju duhet të merrni sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ dhe të braktisni mendimin tim.”4

Në një transmetim tjetër thuhet:

“Nëse gjeni në librin tim diçka që nuk është në përputhje me sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ, ju duhet ta pasoni atë dhe mos shikoni në thëniet e askujt.”5

4 – “Nëse një hadith është autentik ai është mendimi im.”6

5 – “Ju7 jeni më të  ditur rreth haditheve dhe transmetuesve se sa unë. Nëse hadithi është autentik ju duhet të ma mësoni atë pavarësisht nëse ai vjen nga Kufa, Basra apo Shami sepse unë dua ta marrë atë (ta miratoj, të punojë me të) në qoftë se është autentik.”

6 – “Në çdo çështje ku ka një transmetim autentik nga i dërguari i Allahut ﷺ që ndryshon nga mendimi im, unë tërhiqem nga mendimi im derisa jam gjallë dhe pas vdekjes sime.”8

7 – “Nëse më dëgjoni duke thënë diçka, ndërsa e kundërta është transmetuar në mënyrë autentike nga profeti ﷺ, atëherë ju duhet ta dini se më ka ikur mendja.”9

8 – “Nëse unë them diçka që kundërshton atë që është transmetuar në mënyrë autentike nga profeti ﷺ, hadithi i profetit ﷺ ka përparësi. Prandaj mos më pasoni mua verbërisht.”10

9 – “Çdo hadith nga profeti ﷺ është gjithashtu mendimi im, edhe nëse ju nuk e dëgjoni atë nga unë.”11


1 Ibn Hazmi ka thënë:

“Të gjithë dijetarët mendimet e të cilëve pasohen, kundërshtonin pasimin e verbër dhe i ndaluan nxënësit e tyre që t’i pasojnë verbërisht. Esh-Shafei e konsideroi këtë të jetë serioze. Ai -rahimehullah- i kushtoi një rëndësi të veçantë pasimit të haditheve autentike dhe hoqi dorë nga pasimi i verbër në përgjithësi. Ai e tha këtë haptazi. Allahu bëftë dobi me të dhe e shpërbleftë atë me shumë të mira. Ai solli shumë të mira.” (6/118).

2 El-Hakim me një zinxhir të lidhur të transmetimi të Shafeiut, të cilën Ibn Asakir e përmendi në “Tarikh Dimashk (3/1/15)”, “I’lam-ul- Muaki’in (2/363-364)” dhe “El-Ikadh, fq. 100”.

3 “Ibnul Kajimi (2/361)” dhe “El-Fulani, fq. 68”.

4 El-Haraui në “Dhemm-ul-Kelam (1/47/3)”, El-Khatib në “El-Ihtixhaxh bish-Shafei (2/8)”, “Ibn Asakir (01/09/15)”, Neueui në “El-Mexhmu (1/63)”, “Ibnul Kajimi (3/361)”, “El-Fulani, fq. 100”.

5 Ebu Nuajm në “Hiljet-ul-Eulija (9/107)” dhe Ibn Hibani në “Es-Sahih (3/284)” me një zinxhir të saktë transmetimi.

6 Neueui në burimin e mëparshëm, “Esh-Sha’rani (1/57)”, i cili ia dedikoi atë Hakimit dhe El-Bejhakit dhe El-Fulanit, fq. 107.

Esh-Sha’rani tha:

“Ibn Hazmi ka thënë: “Kjo është vërtetuar nga ai apo nga ndonjë imam tjetër.”

Fjala e tij në vijim është konkret. Me pak fjalë, Neueui ka thënë -rahimehullah-:

“Kolegët tanë kanë vepruar në përputhje me këtë kur është fjala për dy ezanet, daljen nga ihrami për shkak të sëmundjes dhe çështje të tjera që janë të njohura mirë edhe në librat e medhhebeve. Prej kolegëve tanë për të cilët thuhet se kanë dhënë fetva në bazë të hadithit është Ebu Jakub El-Buuejti dhe Ebul-Kasim Ed-Dariki. Prej kolegëve tanë nga muhadithunët që e kanë praktikuar atë, ndër të tjerash janë imam Ebu Bekr El-Bejhaki. Kur disa nga ish-kolegët tanë hasën në një hadith që ndryshonte nga mendimi i Shafeiut, e praktikonin hadithin, jepnin fetva duke u bazuar në të dhe thoshin:

“Mendimi i Shafeiut është çdo gjë që është në përputhje me hadithin.”

Shejkh Ebu Amr ka thënë: “Secili nga Shafeitë që gjen një hadith që ndryshon nga medhhebi i tyre duhet të shikojnë; në qoftë se ai ka të drejtë të bëjë ixhtihad në përgjithësi apo lidhur me atë temë apo çështje të caktuar, në të cilin rast do të ishte i lirë të vepronte në përputhje me hadithin, nëse jo do të ishte e vështirë për të që të arsyetojë kundërshtimin e hadithit pas analizave të mëtutjeshme dhe nuk do të ishte në gjendje të gjejë një arsyetim bindës për kundërshtimin e hadithit. Atëherë i lejohet që të veprojë në përshtatje me hadithin nëse ndonjë prej imamëve të tjerë pos Shafeiut ka vepruar me të. Dhe kjo do të ishte arsyetim për lënien e medhhebit të imamit të tij në atë çështje. Këtë që e ka thënë Ebu Amri është e saktë dhe obligative. Allahu e di më së miri.”

Ka shumë situata të tjera që Ibn-us-Salah nuk i ka përmendur; çfarë duhet vepruar në qoftë se nuk e di se kush e ka praktikuar një hadith të caktuar?

Takij-ud-Din Es-Subki iu përgjigj kësaj pyetjeje dhe tha:

“Mendoj se është më mirë që ai të praktikoj hadithin. Ai duhet të imagjinoj se e ka dëgjuar atë direkt nga profeti ﷺ; a është e mundur që ai të shtyj zbatimin e hadithiit?

Pasha Allahun, jo! Secili bart përgjegjësinë sipas dijes së tij.” Me’na Kaul-ish-Shafi’i Idha sah-el-Hadith (3/102)).

Më shumë për këtë temë dhe analizën e saj e gjen në “I’lam-ul-Muvaki’in (2/202) dhe (2/370)” dhe në librin e El-Fulanit “Ikadh Himem Ulil-Absar”. Ai është një libër unik. Të gjithë ata që e duan të vërtetën duhet ta studiojnë atë me kujdes.

7 Fjalët i janë drejtuar imam Ahmed bin Hanbelit -rahimehullah-. Ato janë transmetuar nga Ibn Ebi Hatim në “Edeb-ush-Shafei, fq. 94-95”, Ebu Nu’ajm në “El-Hiljeh (9/106)”, El-Khatibi në “El-Ihtixhaxh bish-Shafei (1/8)”, dhe nga ai, Ibn Asakiri (1/9/15), Ibn Abdil-Berr në “El-Intika, fq. 75”, Ibnul Xhauzi në “Menakib-ul-Imam Ahmed, fq. 499”, dhe El-Haraui (2/47/2) përmes tre rrugëve nga Abdullah bin Ahmed bin Hanbeli, nga babai i tij. Transmetimi është autentik gjë të cilin Ibnul Xhauzi e vërtetoj në “El-I’lam (2/325)” dhe El-Fulani në “El-Ikadh, fq. 152”, i cili ka thënë:

“El-Bejhaki ka thënë: “Prandaj, Shafei i pranonte shpesh hadithet. Ai mblodhi dije në Hixhaz, Sham, Jemen dhe Irak, dhe pranoi gjithçka që ishte autentike pa favorizuar apo pa marrë në konsideratë mendimet e dijetarëve të vendit të tij.”

8 Ebu Nuajm në “El-Hiljeh (9/107)”, El-Haraui (1/47), Ibnul Kajimi në “I’lqm-ul-Muvaki’in (2/363)” dhe “El-Fulani, fq. 104”.

9 Ibn Ebu Hatim në “Edeb-ush-Shafei, fq. 93”, Ebul-Kasim Es-Samerkandi në “El-Amali”, e cila përmendet në “El-Muntaka (1/234)”, Ebu Hafs El-Mu’adhin, Ebu Nuajm në “El-Hiljeh (9/106)” dhe Ibn Asakir (01/10/15) me një zinxhir të saktë transmetimi.

10 Ibn Ebi Hatim, fq. 93, Ebu Nuajm dhe Ibn Asakir (2/9/15) me një zinxhirë të saktë transmetimi.

11 Ibn Ebi Hatim, fq. 93-94.

Shpërndaje: