Imam Ebul-Husejn Muhammed bin Ebi Ja’la el-Hanbeli (v. 526)
Burimi: Kitab-ul-I’tikad, fq. 37
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
[20] Profeti ﷺ posedon shenjën (mrekullinë) më të madhe që është shfaqur në tokë dhe në qiell. Asnjë person tjetër dhe asnjë i dërguar nuk e ka arritur atë. Nëse njeriu i mençur dhe i zgjuar mendon për këtë, ai e di se Allahu e ka bekuar atë me një pozitë dhe gradë të lavdishme, dhe e ka nderuar atë mbi të gjithë njerëzit e tjerë. Kjo shenjë është se ai ﷺ një natë udhëtoi hipur mbi një shtazë deri në Jeruzalem. Pastaj ai u ngrit në qiell ku i përshëndeti engjëjt dhe profetët të cilët gjithashtu i udhëhoqi në namaz. Ai hyri në xhenet dhe e pa xhehnemin. Atë natë ai u obligua me namazet e përditshme dhe e pa Zotin e tij. Ai iu afrua Atij dhe Allahu i foli atij, dhe e nderoi atë. Ai pa mrekullitë dhe shenjat. Ai iu afrua Zotit të tij derisa qëndroi dy bërryla dhe madje më afër. Allahu e vendosi dorën e Tij në mes të shpatullave të tij kështu që ai ndjehu ftohtësinë e saj në mes të gjoksit të tij1 dhe atij iu dha dija e njerëzve të më parshëm dhe të më vonshëm.
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
وَمَا جَعَلْنَا الرُّؤيَا الَّتِي أَرَيْنَاكَ إِلاَّ فِتْنَةً لِّلنَّاسِ
“E atë që pe nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz.”2
Kjo pamje u zhvillua në një gjendje të zgjuar dhe nuk ishte ëndërr. Të njëjtën natë ai u kthye fizikisht në Mekë. Allahu informoi në librin e Tij se ai ﷺ do të jetë i bekuar në jetën e ardhshme edhe më shumë sesa në këtë.
[21] Allahu (te ala) tha:
وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَى
“E Zoti yt do të jep ty, e ti do të kënaqesh.”3
Prej asaj që atij ﷺ do t’i jepet në jetën e ardhshme është pozita e lavdërueshme që asnjë qenie njerëzore nuk do të mund t’i afrohet. Ebu Bekr Ahmed bin Ebi Khejthemeh transmetoi me zinxhirin e tij nga Muxhahidi që tha për fjalët e Tij:
عَسَى أَن يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًا مَّحْمُودًا
”Është e sigurt se Zoti yt do të të ngrejë në gradën e lartë e të premtuar.”4
“Allahu do ta vendosë atë mbi arsh.”5,6
Ibn Umejr ka thënë:
“Ai do ta vendosë mbi arsh.”
Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Uthman bin Ebi Shejbeh transmetuan me zinxhirët e tyre përkatës nga Muxhahidi i cili tha për të njëjtin ajet:
“Allahu do ta vendosë mbi arsh.”
E njëjta gjë ishte transmetuar nga Abdullah bin Ahmed me zinxhirin e tij nga Muxhahidi. Veç kësaj Is’hak bin Rahojah, nga Ibn Fudejl, nga Lejdhi, nga Muxhahidi që tha për të njëjtin ajet:
“Allahu do ta vendosë mbi arsh pranë Tij.”
“E kam dëgjuar Ebu Abdullah Ahmed bin Hanbelin duke u pyetur për deklaratën e Muxhahidit, ai tha: “Dijetarët e kanë pranuar atë dhe ne e kumtojmë atë fjalë për fjalë.”
Ibn-ul-Harith ka thënë:
“Po, Muhamedi do të vendoset mbi arsh.”
“Abdullah bin Ahmedi ka thënë:
“Unë qortoj këdo që e hedh poshtë këtë hadith.”
Ibn Abbasi tha për të njëjtin ajet:
“Allahu do ta vendosë atë mbi arsh.”
Këto transmetime janë transmetuar nga shejkhu ynë Ebu Bekr el-Maruazi i cili shkroi një libër të madh mbi këtë temë. Po ashtu babai im njoftoi prej tij me zinxhirin e tij nga Ibn Umeri, nga profeti ﷺ lidhur me të njëjtit ajet:
“Allahu do ta vendosë atë në arsh me Të.”
Gjithashtu me një zinxhir transmetimi nga Aishah (radijAllahu anha) e cila tha:
“E pyeta të dërguarin e Allahut ﷺ për pozitën e lavdërueshme. Ai tha: “Zoti im më ka premtuar se do të ulem mbi arsh.”
Gjithashtu me një zinxhir transmetimi nga Ibn Umeri i cili tha:
“Umar bin el-Khatabi më tha: “E pyeta profetin ﷺ për atë që Zoti i tij i kishte premtuar. Ai tha: “Ai më ka premtuar qëndrimin e lavdërueshëm që është ulja ime mbi arsh.”
Përveç kësaj, atij i përket pellgu (haudi) në ditën e gjykimit.
1 Lexo: https://www.perlatmuslimane.com/a-e-ka-pare-profeti-salallahu-alejhi-ue-selem-allahun/
2 17:60.
3 93:5.
4 17:79.
5 Tarikh Ibn Ebi Khejthemeh.
6 Lexo: https://www.perlatmuslimane.com/a-do-te-ulet-allahu-apo-profeti-mbi-arsh/