Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh Kefsh-ish-Shubahat
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ti gjithashtu do të përfitosh nga kjo një frikë të madhe sepse kur ti e di se njeriu mund të blasfemojn (bëjë kufër) me një fjalë, dhe ndoshta ai e thotë atë ndërsa ai është i paditur – por ai nuk arsyetohet për shkak të injorancës …
Shpjegimi
Ti gjithashtu do të përfitosh nga kjo një frikë të madhe… – Kjo bëhet në mënyrë që ti i shmangesh asaj në të cilën kanë rënë këta njerëz injorantë pasi që ata nuk e kanë kuptuar domethënien e saj dhe rreziqet e tmerrshme që janë pasoja të saj.
… por ai nuk arsyetohet për shkak të injorancës… – Këtu do ta komentojmë autorin (rahimehullah) në vijim:
E para: Unë nuk mendoj se Shejkhu (rahimehullah) nuk beson se injoranca është një justifikim. Përjashtimi i vetëm është në rastin kur personi nuk dëshiron të mësojë. Shembull për këtë është kur ai dëgjon të vërtetën por nuk i intereson për të mësuar. Personi i tillë nuk arsyetohet për injorancën e tij. Arsyeja që unë nuk mendoj këtë për Shejkhun, është se ai ka fjalë tjera ku tregon se injoranca vërtetë është një justifikim. Ai (rahimehullah) u pyet se për çfarë ai lufton dhe kur e deklaron një person të jetë kafir? Ai u përgjigj:
“Shtyllat e Islamit janë pesë. E para është shahadeti dhe pastaj vijojnë katër të tjerat. Sa për ato katër vijuese pas shahadetit, ne nuk e konsiderojnë atë që i beson ato dhe pastaj i braktis ato nga përtacia të jetë kafir, edhe nëse do të luftonim kundër tij. Dijetarët kanë mospajtime në lidhje me atë që i braktis ato nga përtacia, pa i mohuar ato. Dijetarët janë të bashkuar për ta deklaruar si kafir atë që e braktis shahadetin. Këtë e bëjmë edhe ne, dhe ne nuk e bëjmë tekfir askënd tjetër në qoftë se ai do të braktis veprat e tjera. Po ashtu, ne deklarojmë që ai të jetë kafir nëse ai mohon pasi të ketë mësuar të vërtetën. Prandaj, themi se kemi katër lloje të armiqve:
Lloji i parë: Ai që e di se teuhidi është feja e Allahut dhe e të dërguarit të Tij ﷺ dhe e di se të besosh në gurë, pemë dhe në njerëz është idhujtari, sikurse veprojnë shumica, dhe se Allahu e dërgoi të dërguarin e Tij ﷺ për ta ndaluar këtë dhe për të luftuar kundër popullit të tij në mënyrë që vetëm Allahu të adhurohet. Ai i cili nuk kujdeset për teuhidin, nuk e mëson atë, nuk i bashkohet atij dhe nuk e braktis idhujtarinë, ai është kafir. Ne luftojmë kundër këtij personi për shkak të mosbesimit të tij. Ky person e di fenë e të dërguarit ﷺ por nuk e pason atë, dhe ai e di se çfarë është idhujtaria por nuk e braktis atë. Kjo vlen edhe në qoftë se ai nuk e urren të dërguarin ﷺ, nuk e urren fenë apo ata që hyjnë në të. Gjithashtu ai nuk e lavdëron idhujtarinë dhe as nuk ia zbukuron atë njerëzve.
Lloji i dytë: Ai që e di gjithë këtë, por e fyen fenë e të dërguarit ﷺ – edhe pse ai pretendon se e praktikon fenë – dhe i lavdëron ata që adhurojnë Jusuf el-Ashkar, Ebu Ali dhe el-Khidhr Kuvajtin dhe i konsideron ata të jenë më të mirë se ata që e adhurojnë vetëm Allahun dhe që qëndrojnë larg nga idhujtaria. Ky person është më i keq se personi i parë.
Allahu (te ala) ka thënë:
“Dhe kur erdhi tek ata (jehudët) Libër nga Allahu (Kur’ani) duke përforcuar atë (Teuratin) i cili është me ta, edhe pse një kohë ata e kishin lutur Allahun (për sjelljen e Muhamedit) me qëllim që të fitonin përmbi ata që nuk besuan. E kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë dhe prandaj mallkimi i Allahut përmbi kufarët.” 2:89
Pos kësaj Allahu ka thënë në lidhje me personin e tillë:
”E nëse ata i thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftoni krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, luftoni që të frenohen (nga krimi e fyerja).” 9:12
Lloji i tretë: Kushdo që e njeh teuhidin, e do atë, e pason atë dhe e njeh idhujtarinë dhe e braktisë atë, por e urren atë që hyn në teuhid dhe e do atë që mbetet në idhujtari. Ky person është kafir. Allahu (te ala) tha në lidhje me të:
”Këtë për shkak se ata e urryen atë që e zbriti Allahu, prandaj atyre ua zhduk veprat.” 47:9
Lloji i katërt: Ai që nuk ka ndonjë nga këto cilësi, por bashkëvendësit e tij tregojnë qartë armiqësi ndaj monoteistëve, ndërsa njëkohësisht janë besnikë ndaj idhujtarëve. Ata japin mundin e tyre për të luftuar kundër tyre. Ky person arsyetohet se e ka vështirë që të braktis atdheun e tij, prandaj rrjedhimisht ai lufton kundër monoteistëve së bashku me bashkëvendësit e tij dhe lufton me jetën dhe pasurinë e tij. Edhe ky person është kafir. Nëse ata e urdhërojnë atë që të ndalohet nga agjërimi i Ramazanit, ai duhet t’i braktis ata, në qoftë se kjo është e vetmja zgjidhje për të agjëruar. Nëse ata e urdhërojnë atë që të martohet me gruan e atit të tij, ai duhet t’i braktis ata në qoftë se kjo është e vetmja zgjidhje. Megjithatë, është shumë më e rëndë për të rënë dakord me ta për të luftuar me ta me jetën e tij dhe pasurinë e tij kur ata synojnë që të zhdukin fenë e Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ. Edhe ky person është kafir. Allahu ka thënë në lidhje me njerëzit e tillë:
”Ju do të hasni në të tjerë, që duan të sigurohen te ju (duke u paraqitur si besimtarë) dhe të sigurohen te populli i vet (si kufarë).” 4:91
Kjo është ajo që ne themi.
Sa i përket gënjeshtrës se ne i shpallim njerëzit si kufarë në mënyrë përfshirëse, se i obligojmë ata që munden të bëjnë hixhret tek ne për të praktikuar fenë e tyre dhe se ne i shpallim të gjithë të jenë kufarë në qoftë se ata nuk i shpallin të tjerët të jenë kufarë, dhe nuk luftojnë kundër tyre, kjo është një gënjeshtër e qartë. Kjo është një mënyrë për të tërhequr njerëzit nga feja e Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ. Si mund ta shpallim kafir dikë që nuk e praktikon idhujtarinë nëse ai nuk bën hixhret tek ne apo t’i shpallim të tjerët të jenë kufarë dhe të luftojmë kundër tyre, kur ne as nuk i shpallëm kufarë ata që adhuronin statujat e Abdul-Kadrit, Ahmed el-Bedeuiut dhe varret e atyre që janë sikurse ata nga injoranca, për shkak se nuk kishte dikush që i kujton ata?
”I pa të meta je Ti, kjo është shpifje e madhe!” 24:16
Në fakt, ne i konsiderojmë katër llojet e mësipërme si kufarë, sepse ata e kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij ﷺ. Allahu pastë mëshirë mbi personin që e shikon veten e tij dhe e di se ai do të qëndrojë para Allahut tek i Cili gjendet xheneti dhe xhehnemi.
Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.”1
Vazhdim:
Mospajtimi në lidhje me atë se a është injoranca justifikim apo jo, është si të gjitha mospajtimet e tjera që ndodhin në çështjet e bazuara në Fikh dhe ixhtihad. Mund të ndodh që ndonjëherë bëhet fjalë për një mospajtim në shprehje kur bëhet fjalë për të gjykuar një individ të veçantë. Kjo do të thotë se ka një konsensus lidhur me një fjalë të caktuar, një veprim të caktuar se ajo është kufër. Por a do të thotë se është e saktë për të përcaktuar këtë gjykim mbi një individ të veçantë, sepse ajo që kërkohet i është bërë e qartë atij dhe se të gjitha pengesat janë mënjanuar? Apo nuk mund të bëhet kjo për shkak të mungesës së disa faktorëve të kërkuar ose se disa pengesa të caktuara ende ekzistojnë? Për shkak se injoranca për veprën që shpie në kufër është dy llojesh:
E para: Kur vepra ndodh nga personi injorant i cili pason një fe tjetër përveç Islamit apo asnjë fe fare, në kuptimin që ai kurrë nuk e ka idenë se gjendja e tij bie ndesh me një fe të caktuar. Personi i ngjashëm trajtohet në bazë të asaj që shfaqet nga ai. Sa për gjendjen e tij në jetën e përtejme, është Allahu (te ala) që e di këtë. Mendimi më i saktë është se ai testohet në jetën e përtejme ashtu sikurse dëshiron Allahu (azze ue xhel). Allahu e di më mirë se çfarë ata do të kishin vepruar. Ne e dimë se ai nuk do të hyjë në zjarr në qoftë se nuk mëkaton.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” 18:49
Prandaj ne themi se ai trajtohet në këtë jetë sipas asaj që ai shfaqë, që janë gjykimet për kufarët, kjo është për shkak se ai nuk e ka Islamin si fe që ne ta gjykojmë atë me gjykimet e saj. Ne themi se ai do të sprovohet në jetën e përtejme, sepse ka shumë transmetime që e thonë këtë. Ibn-ul-Kajimi (rahimehullah) i përmend në librin e tij “Tarik-ul-Hixhretejn”, kur ai flet për mendimin e tetë lidhur me fëmijët e idhujtarëve.
E dyta: Që ajo vepër e kufrit të veprohet nga një person musliman, por ai ka jetuar me këtë vepër ndërsa ai kurrë nuk ka menduar se ai po e kundërshton Islamin. Pos kësaj, askush nuk ia ka kujtuar atij këtë. Personi i tillë atëherë gjykohet si musliman në aspektin e jashtëm. Sa për gjendjen e tij në jetën e përtejme, Allahu (azze ue xhel) e di më mirë se si do të jetë me të. Dëshmi për këtë kemi në Kuran, Sunnet, dhe mendimet e dijetarëve. Sa për Librin e Allahut, Allahu (te ala) thotë:
”E Ne nuk e dënojmë askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin.” 17:15
”Zoti yt nuk është i tillë që të shkatërrojë vendbanimet para se në kryeqendër të tyre të dërgoj profet, i cili do t’ua lexojë atyre argumentet Tona, dhe Ne nuk shkatërruam vendbanime, pos vetëm kur banorët e tyre ishin zullumqarë.” 28:59
”Të dërguar që ishin përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve.” 4:165
”Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). E Allahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do.” 14:4
”Allahu nuk e humb një popull pasi që ta ketë udhëzuar atë, para se t’ju sqarojë atyre se prej çka duhet ruajtur.” 9:115
“Edhe ky (Kur’ani) është Libër i bekuar të cilin Ne e kemi zbritur, kështu që ndiqeni atë dhe kini frikë Allahun, me qëllim që të mëshiroheni (të shpëtoni nga dënimi i xhehenemit). E që të mos thoni ju (arabë paganë): “Libri iu dërgua vetëm dy grupeve para nesh (jehudëve dhe nasarave) dhe sa për ne vërtet që nuk kemi ditur gjë çfarë kanë studiuar ata. Apo që të mos thoni ju: “Vetëm sikur të na kishte zbritur edhe neve një Libër, ne vërtet që do të ishim drejtuar më mirë se ata (jehudët dhe nasarat). Kështu pra, tash ju ka ardhur provë e qartë (Kur’ani) nga Zoti juaj si dhe udhëzim e mëshirë.” 6:155-157
Ka edhe shumë ajete të tjera që sqarojnë se justifikimi pushon vetëm pas dijes dhe sqarimit lidhur me veprën e kufrit.
Lidhur me Sunnetin, është transmetuar në “Sahi Muslim”2 nga Ebu Hurejra i cili tregoi se profeti ﷺ ka thënë:
“Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Nuk ka as jehudi e as nasrani që dëgjon për mua dhe pastaj vdes pa besuar në atë me të cilën jam dërguar, vetëm se ai do të jetë prej banorëve të zjarrit.”
Lidhur me thëniet e dijetarëve, tha Ibn Kudameh në “El-Mugni”3:
“Lidhur me atë që nuk i njeh obligimet, sepse ai sapo është bërë musliman apo është rritur në një vend kufri, apo në një shkretëtirë që është shumë larg nga zonat e banuara dhe dijetarët, nuk bëhet tekfir mbi të.”
Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë në “Mexhmu-ul-Fataua”4:
“Unë i përkas atyre që ndalojnë rreptësishtë të shpallurit një individ të jetë kafir, mëkatar apo të pabindur. Ata që rrinë me mua e dinë këtë. I vetmi përjashtim është në qoftë se e di se personit i ka arritur argumenti nga shpallja, i cili e bën kundërshtuesin e tij të bëhet kafir, mëkatar apo të pabindur. Unë pohoj se Allahu (te ala) i ka falur gabimet e këtij umeti. Këto gabime përfshijnë çështjet e besimit dhe të dispozitave të Fikhut. Selefët kurrë nuk u ndalën nga të konfrontuarit mes veti lidhur me këto çështje, por megjithatë, ata nuk deklaruan njëri-tjetrin të jenë kufarë, mëkatar apo të pabindur.”
Pastaj ai tha:
“E kisha zakon që t’i shpjegojë disa transmetime nga Selefët dhe imamët në të cilat ata e shpallin personin që thotë këtë dhe atë të jetë kafir, dhe se kjo është e vërtetë. Megjithatë, duhet të bëhet dallimi midis një gjykimi të përgjithshëm dhe gjykimit të një individi.”
Pastaj ai tha:
“Të shpallurit dikë kafir i përket kërcënimit edhe në qoftë se është një fjalë që përgënjeshtron të dërguarin ﷺ, duhet ditur se personi në fjalë mund të jetë ai që sapo është bërë musliman, apo se është rritur shumë larg në shkretëtirë. Personi i tillë nuk duhet të shpallet kafir për të atë që ai mohon derisa ai të mëson të vërtetën. Gjithashtu, mund të jetë se personi në fjalë nuk i ka dëgjuar këto tekste. Përveç kësaj, ai mund t’i ketë dëgjuar ato pa i konsideruar ato të jenë autentike ose që ato të jenë kundërshtuar nga diçka tjetër, e cila ka kërkuar që të bëhet një interpretim edhe në qoftë se ai është gabim. “
Shejkh-ul-Islam Muhamed bin Abdul-Uehabi tha5:
“Sa i përket të shpallurit një person kafir, unë nuk e bëjë atë përveçse nëse personit i ka arritur feja e të dërguarit ﷺ dhe pastaj e fyen atë, i ndalon njerëzit prej saj dhe ndien urrejtje ndaj personit që i bashkëngjitët asaj. Personin e tillë unë e konsiderojë të jetë kafir.”
Në faqen 66 ai tha:
Sa i përket gënjeshtrës se ne i shpallim njerëzit si kufarë në mënyrë përfshirëse, se i obligojmë ata që munden të bëjnë hixhret tek ne për të praktikuar fenë e tyre dhe se ne i shpallim të gjithë të jenë kufarë në qoftë se ata nuk i shpallin të tjerët të jenë kufarë, dhe nuk luftojnë kundër tyre, kjo është një gënjeshtër e qartë. Kjo është një mënyrë për të tërhequr njerëzit nga feja e Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ. Si mund ta shpallim kafir dikë që nuk e praktikon idhujtarinë nëse ai nuk bën hixhret tek ne apo t’i shpallim të tjerët të jenë kufarë dhe të luftojmë kundër tyre, kur ne as nuk i shpallëm kufarë ata që adhuronin statujat e Abdul-Kadrit, Ahmed el-Bedeuiut dhe varret e atyre që janë sikurse ata nga injoranca, për shkak se nuk kishte dikush që i kujton ata?
Nëse këtë e kërkon Kurani, Sunneti, dhe fjalët e dijetarëve, atëherë këtë e kërkon edhe urtësia dhe butësia e Allahut (te ala). Ai nuk e ndëshkon askënd derisa të mos ia ketë treguar argumentet atij (njeri/populli). Mendjet nuk munden që vetë të gjejnë se me çfarë detyra Allahu (te ala) i obligon ata. Në qoftë se ata e kishin arritur këtë, atëherë argumentet nuk do të ishin varur nga të dërguarit.
Në parim, ai që ka përkatësi Islame mbetet musliman derisa nuk dëshmohet e kundërta nga dëshmitë e bazuara në Sheriat. Nuk lejohet të merret e lehtë të shpallurit dikë kafir, sepse ky veprim përbëhet nga dy mëkate shumë të rënda:
Për sa i përket të parës, është e qartë. Aty, gjykohet një person për kufër ndërsa Allahu (te ala) nuk e ka bërë këtë. Personi i ngjashëm krahasohet me atë që ndalon atë që Allahu e ka lejuar. Ashtu siç është vetëm Allahu i Cili ka të drejtë të thotë atë që është e ndaluar dhe e lejuar, është gjithashtu vetëm Ai që ka të drejtë që të thotë se kush është kafir apo nuk është.
Për sa i përket të dytës, ai ka përshkruar një musliman me një përshkrim të kundërt. Ai thotë se ai është kafir ndërsa personi është larg prej kufrit. Bile ky (akuzuesi) është më meritor të përshkruhet me kufër. Në “Sahih Muslim”, është saktësuar se Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
“Nëse një person thotë se vëllai i tij është kafir, kjo i kthehet njërit prej tyre.” 6
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Ose është siç ka thënë, ose ajo i kthehet atij.”
Pos kësaj transmetohet nga Ebu Dherri (radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
“Ai që e thërret një person: “O kafir apo i thotë: “O armik i Allahut”, ndërsa ai nuk është i tillë, ajo i kthehet vetë atij.” 7
Do të thotë i kthehet vetë atij.
Fjalët e tij në hadithin e Ibn Umerit “Ose është siç ka thënë” do të thotë në përputhje me gjykimin e Allahut (te ala). E njëjta gjë vlen edhe për fjalët “ndërsa ai nuk është i tillë” në hadithin e Ebu Dherrit, që do të thotë se nuk është në përputhje me gjykimin e Allahut.
Ky është mëkati i dytë, domethënë, se akuza me kufër i kthehet personit të parë nëse vëllai i tij është larg prej saj. Ky është një mëkat shumë i madh dhe ekziston rreziku i madh që ai të bie në të. Zakonisht është kështu ai i cili nxiton për ta akuzuar një musliman me kufër, është i vetë-dashuruar në veprat e tij, ndërsa ai njëkohësish i nënvlerëson të tjerët. Kështu, ai kombinon në mes të qenit i vetë dashuruar në veprat e tij, e cila mund të çojë në asgjësimin e tyre, dhe në mendjemadhësi, të cilat janë shkak që të dënohet me zjarr nga Allahu (te ala). Është transmetuar në një hadith të transmetuar nga Ahmedi dhe Ebu Davudi nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) i cili ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu (azze ue xhel) ka thënë: “Krenaria është ridai Im dhe madhështia është izari Im. Prandaj ai që më hyn në hise në lidhje me ndonjë prej tyre, e hedhë në zjarr.” 8
Para se të gjykosh dikë me kufër, është e detyrueshme për të marrë parasysh dy faktorë:
E para: Dëshmi nga Kurani dhe Sunneti se ajo vepër me të vërtetë është kufër për të mos rënë në shpifje ndaj Allahut.
E dyta: Që ky gjykim të mund të praktikohet mbi individin në një mënyrë të tillë që kushtet për shpalljen e tij si kafir janë plotësuar dhe pengesat janë mënjanuar.
Prej kushteve më të rëndësishme është që të ke dituri në lidhje me veprën e tij e cila kërkon bërjen tekfir.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Dhe kushdo që e kundërshton të dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” 4:115
Për tu dënuar në zjarr, kushtëzohet që ai të jetë kundërshtuar i të dërguarit ﷺ pasi që udhëzimi i është qartësuar atij personi.
Por duhet gjithashtu të jesh i ditur në lidhje me pasojat e asaj vepre, ose a mjafton vetëm të qenurit i ditur në lidhje me veprën dhe jo për pasojat e saj? Përgjigja është e dyta. Është e mjaftueshme për të pasur dije në lidhje me veprën për të gjykuar sipas gjykimeve të kërkuara sepse profeti ﷺ e ka urdhëruar atë që ka bërë marrëdhënie intime gjatë ditës në Ramazan që të bëjë kefara (shpagim) sepse ai e dinte mëkatin që ka bërë, por nuk dinte për shpagimin. Në mënyrë të ngjashme, personi i martuar që bën zina dhe e di se zinaja është e ndaluar duhet të gurëzohet edhe pse ai nuk e di se cili është dënimi për zinanë. Po të kishte qenë i ditur për të, ai ndoshta nuk do ta kishte bërë atë.
Ndër faktorët që pengojnë të shpallurit një person kafir është që të detyrohet me forcë për të bërë veprën e kufrit.
Allahu (te ala) ka thënë:
“Kushdo që mohon besimin në Allahun pasi që ka besuar, përveç atij i cili detyrohet në të, kurse zemra e tij është e qetë me besim, – por fjala është për të atillët të cilët ia hapin gjoksin mohimit, mu mbi këta është zemërimi i Allahut dhe për ta do të ketë ndëshkim të madh.” 16:106
Faktor tjetër pengues është kur mendja dhe qëllimi i ikën sa që nuk e di se çfarë flet nga gëzimi i skajshëm, mërzia, zemërimi, frika dhe të ngjashme.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Nuk është ndonjë mëkat i juaji ajo për çka keni gabuar, por (është mëkat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht.” 33:5
Në “Sahih Muslim”9 transmetohet nga Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Tij kur ai pendohet tek Ai, se kur dikush nga ju e gjen shtazën e tij të udhëtimit e cila i ka humbur në një shkretëtirë të hapur, ku aty kishte ushqimin dhe pijen e tij. Kur ai i humb të gjitha shpresat e tij për shtazën e tij, ai shkon tek një pemë për tu shtrirë nën hijen e saj. Ndërsa ai është në këtë gjendje, ai e sheh papritur shtazën e tij pranë vetes dhe e kap për litarin e saj. Pastaj ai thotë në gëzimi i madh: “O Allah! Ti je robi im dhe unë jam zoti Yt.”
Një tjetër pengesë është kur personi ka dyshim me të cilin ai keqinterpreton kufrin në mënyrë që ai beson se është e vërteta. Personi i ngjashëm nuk ka për qëllim as kufrin e as kundërshtimin. Njerëz të tillë përfshihen nga fjalët e Tij (te ala):
”Nuk është ndonjë mëkat juaji ajo për çka keni gabuar, por (është mëkat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht.” 33:5
Ndoshta ai ka dhënë tërë mundin për ta kuptuar atë po ka rënë në keqinterpretim. Në këtë mënyrë, ai përfshihet nga fjalët e Tij (te ala):
”Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij.” 2:286
[Ibn Kudameh] ka thënë në “el-Mughni”10:
“E njëjta gjë – do të thotë se ai është kafir – vlen nëse ai pa asnjë dyshim apo keqinterpretim e konsideron të lejuar për të vrarë njerëz të pafajshëm dhe të konfiskojnë pasurinë e tyre. Ndërsa në qoftë se bëhet fjalë për një keqinterpretim, si keqinterpretimi i Khauarixhëve, e kemi përmendur se shumica e dijetarëve të fikhut nuk i konsiderojnë ata të jenë kufarë. Kështu është rasti, pavarësisht se ata deklaruan jetën e muslimanëve dhe pasurinë e tyre të lejuar që të merren. Përveç kësaj, ata kryenin këto veprime ndërsa ata kërkonin afërsinë e Allahut (te ala).”
Pastaj ai tha
“Është e njohur gjerësisht se metodologjia e Khauarixhëve është të konsideruarit shumë nga sahabët dhe pasardhësit e tyre si kufarë. Ata besuan se lejohet t’i merret jeta dhe pasuria e tyre dhe ata e bënë këtë ndërsa njëkohësisht kërkonin t’i afroheshin Zotit me këto vepra. Megjithatë, ata nuk u konsideruan të jenë kufarë nga dijetarët e fikhut për shkak të keqinterpretimit të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë të tjerët që për shkak të keqinterpretimit shpjegojnë diçka të paligjshme si të ligjshme.”
Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë në “Mexhmu-ul-Fataua”11 të tij:
“Bidati i Khauarixhëve është për shkak se ata e kuptuan Kuranin në mënyrën e të kuptuarit të tyre të keq. Ata nuk e synonin kundërshtimin e tij, por ata e keqkuptuan në të kundërtën e asaj që nënkuptonte në të vërtetë. Si pasojë, ata menduan se Kurani nënkupton që duhet konsideruar të gjithë mëkatarët të jenë kufarë”.
Në faqen 210, ai tha:
“Khauarixhët e kundërshtuan Sunnetin ndërsa Kurani urdhëroi që ai të pasohet. Ata shpallën besimtarët si kufarë, ndërsa Kurani urdhëron që ata të duhen… Ata filluan të ndjekin ajetet më pak të qarta të Kuranit dhe më pas nga injoranca i interpretuan sipas një kuptimi të ndryshëm. Ata as nuk kishin perceptim të kuptimeve të tij, e as dije të qëndrueshme. Ata as nuk e pasuan Sunnetin, e as nuk iu referuan xhematit të muslimanëve të cilët e kuptonin Kuranin.”
Pos kësaj ai tha12:
“Imamët kanë konsensus se duhet kritikuar Khauarixhët dhe duhet konsideruar ata të devijuar. E vetmja gjë që për të cilën ata nuk pajtohen është nëse ata janë kufarë apo jo. Ka dy mendime të njohura në këtë çështje. “
Por ai tha gjithashtu13:
“Asnjë nga sahabët nuk i konsideruan ata të jenë kufarë. As Ali bin Ebi Talibi apo dikush tjetër nuk e bëri këtë. Ata i konsideronin ata të jenë muslimanë të padrejtë dhe shtypës. Këtë e kanë thënë transmetimet për ta në disa vende.”
Veç kësaj ai tha14:
“Kjo është ajo që është transmetuar nga Imamët si Ahmedi dhe të tjerët.”
Ai tha po ashtu15:
“Khauarixhët janë rebelë të cilët profeti ﷺ urdhëroi që të luftohen. Khalifja i besimtarëve Ali bin Ebi Talibi luftoi kundër tyre dhe ai ishte njëri prej khalifëve të drejtë. Gjithashtu imamët e fesë në mesin e sahabëve, tebiinëve dhe etba et-tebinëve u bashkuan se duhet luftuar kundër tyre. As Ali bin Ebi Talib, Sad bin Ebi Uekasi apo ndonjë sahabi tjetër nuk i konsideroi ata të jenë kufarë. Edhe pse ata luftuan kundër tyre, ata i konsideruan ata të jenë muslimanë.
Aliu (radijAllahu anhu) nuk luftoi kundër tyre derisa filluan të derdhin gjakun e shenjtëruar dhe sulmuan pasuritë e muslimanëve. Prandaj, ai filloi të luftojë kundër tyre për ti’u shmangur padrejtësisë dhe shtypjes së tyre, e jo për shkak se ata ishin kufarë. Prandaj ai nuk i robëroi gratë e tyre. As nuk konfiskoi pasurinë e tyre si plaçkë të luftës. Në qoftë se ky popull, devijimet e të cilëve janë përcaktuar me anë të teksteve dhe konsensusit, nuk janë konsideruar kufarë, pavarësisht nga fakti se profeti ﷺ ka urdhëruar për të luftuar kundër tyre, të paktën vlen e njëjta gjë për të gjithë sektet e tjera kundërshtuese që e kanë keqkuptuar të vërtetën në çështje që njerëz më të ditur se ata kanë gabuar! Prandaj, nuk është e lejuar për dikë nga këto sekte që të shpallë kafir dikë tjetër. Nuk lejohet për të shpallur jetën e tyre dhe pasuritë e tyre të lejuara që të merren edhe në qoftë se ata posedojnë bidat të qartë. Çfarë të themi, nëse ata që i shpallin ata kufarë të jenë vetë bidatçi. Fakti është se bidati i tyre mund të jetë më i keq se i atyre të parëve. Zakonisht ata të gjithë janë të paditur rreth asaj se për çfarë në të vërtetë nuk pajtohen.”
Pastaj ai tha:
“Nëse një musliman e keqkupton një betejë ose nga keqkuptimi e shpallë dikë kafir, ai nuk blasfemon.”
Pastaj ai tha në faqen 288:
“Dijetarët kanë mospajtime mes veti në lidhje me fjalën e Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ; se a zbatohet gjykimi i tyre mbi robërit para se t’u ketë arritur atyre e vërteta apo jo? Ka tre mendime të ndryshme në medhhebin e Ahmedit dhe në medhhebet e tjera … E sakta është ajo që Kurani nënkupton.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Ne nuk e dënojmë askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin.” 17:15
”Të dërguar që ishin përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve.” 4:165
Në “Sahih Bukhari” dhe “Sahih Muslim”, transmetohet se profeti ﷺ ka thënë:
“Askush nuk e do justifikimin sikurse Allahu. Prandaj, Ai i dërgoi të dërguarit si përgëzues dhe paralajmërues.” 16
Si përfundim, i padituri justifikohet për fjalët dhe veprat e tij që janë kufër. Po ashtu ai është i arsyetuar për shprehjet dhe veprat e tij që janë mëkate. Kjo është përcaktuar nga argumentet në Kuran, në Sunnet, në hulumtimet dhe mendimet e dijetarëve.
1 Fataua ue Masa’il esh-Shejkh Muhamed bin Abdil-Uehab, fq. 5-6, në Mexhmu Mu’al-lafat-ish-Shejkh Muhamed bin Abdil-Uehab, vol. 2.
2 (1/134).
3 (8/131).
4 (3/229).
5 ed-Durar es-Sunnijjeh (1/56).
6 (111).
7 (112).
8 Ahmedi (2/376), Ebu Davudi (4048) dhe Ibn Maxheh (4174).
9 (2104).
10 (8/131).
11 (13/30).
12 (28/518).
13 (7/217).
14 (28/518).
15 (3/282).
16 Bukhari (7416) dhe Muslimi (1499).