Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Armiqtë e profetëve dhe të dërguarve

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Armiqtë e profetëve dhe të dërguarve

Dije se Allahu (te ala), nga urtësia e Tij, nuk e ka dërguar asnjë profet me këtë lloj të Teuhidit vetëm se bëri që ai të ketë armiq. Allahu (te ala) ka thënë:

”Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo profeti i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxisin njëri-tjetrin në mashtrime. E sikur të donte Zoti yt, ata nuk do bënin atë (armiqësi), po ti lëri ata me ato trillime.” 6:112

Shpjegimi

Në këto fjalë, autori thekson (rahimehullah) një pikë shumë të dobishme. Kjo është kur ai thotë se Allahu (azze ue xhel) kurrë nuk ka dërguar një profet vetëm se ka bërë që ai të ketë armiq në mesin e njerëzve dhe xhinëve. Ekzistenca e armiqve filtron dhe e sqaron të vërtetën. Sa herë që ka një kundërshtues, argumenti i palës tjetër forcohet. Kjo është ajo që Allahu (te ala) ka bërë që profetët e Tij të përjetojnë, e përjetojnë edhe pasuesit e tyre. Të gjithë pasuesit e profetëve përjetojnë atë që profetët kanë përjetuar.

Allahu (te ala) ka thënë:

”Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo profeti i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxisin njëri-tjetrin në mashtrime.” 6:112

“Kështu pra, Ne sollëm për çdo profet armik nga radhët e muxhrimunëve (kufarëve, politeistëve, kriminelëve, mëkatarëve), por më se i Mjaftueshëm është Zoti yt si Udhëzues dhe Gjithëndihmues.” 25:31

Këta njerëz të këqij kanë urrejtje kundër të dërguarve, mbështetësve të tyre dhe ndaj asaj që ata predikuan në dy mënyra:

E para: Përhapin dyshime.

E dyta: Armiqësi.

Në lidhje me dyshimet, ka thënë Allahu (te ala):

”…por ti nuk ke nevojë për tjetër udhërrëfyes…25:31

Kjo do të thotë atë që armiqtë e profetëve duan ta devijojnë.

Dhe në lidhje me armiqësinë, ka thënë Allahu (te ala):

”… apo ndihmës pos Zotit tënd.” 25:31

Kjo do të thotë atë që armiqtë e profetëve duan ta parandalojnë.

Allahu (te ala) udhëzon të dërguarit dhe pasuesit e tyre dhe u jep fitoren mbi armiqtë, sado të fortë qofshin armiqtë. Prandaj ne nuk duhet ta humbasim shpresën për shkak se armiqtë janë të shumtë dhe kanë forcën me të cilën ata e kundërshtojnë të vërtetën. E vërteta është ashtu sikurse ka thënë Ibn-ul-Kajimi (rahimehullah):

“E vërteta është mbështetur dhe e vënë në sprovë

prandaj mos u çudit – kjo është mënyra e Mëshiruesit.”

Nuk është e lejuar për ne që të jemi të pashpresë. Në vend të kësaj, ne jemi të detyruar që të marrim guxim dhe të durojmë. Fundi i mirë i përket njerëzve të devotshëm. Shpresa dhe optimizmi është një arsye e fortë për t’i thirrur njerëzit në Islam dhe që të përpiqesh për suksesin e tyre. Në anën tjetër, humbja e shpresës dhe pesimizmi janë një arsye për të dështuar në thirrjen për në Islam dhe bën që thirrja të ngelet.

Shpërndaje: