Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
I përket urtësisë së Allahut (te ala) të bëjë që secili profet të përballet me armiqësinë nga ana e kriminelëve (të padrejtëve). Ata mundohen si me fjalë ashtu edhe me vepra të pengojnë njerëzit nga e vërteta në çdo mënyrë. Ata përdorin komplote të ndryshme, dyshime dhe propaganda të rreme. Allahu ka caktuar të ndodh kështu në mënyrë që e vërteta të dalë në dritë dhe të triumfojë mbi të kotën e gënjeshtrën. Armiqësi të tillë kaq të madhe hasën profeti ﷺ dhe sahabët e tij.
Allahu (te ala) ka thënë:
وَلَتَسْمَعُنَّ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ مِنْ قَبْلِكُمْ وَمِنَ الَّذِينَ أَشْرَكُوا أَذًى كَثِيرًا
“Dhe vërtet që do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush dhe prej idhujtarëve.” 3:186
Idhujtarët e padrejtë e etiketuan profetin ﷺ dhe sahabët e tij me epitete ofenduese duke i quajtur magjistarë, të çmendur, falltarë, gënjeshtarë dhe etiketime tjera.
Meqë njerëzit e dijes dhe të imanit janë trashëgimtarët e profetit ﷺ edhe këta përjetuan në mënyrë të ngjashme të njëjtën armiqësi nga skolastikët (Ehlul-Kelami) dhe nga pasuesit e bidateve. Secili grup i dha Ehlus-Sunnetit etiketime nga të cilat Allahu i ka pastruar ata. Ata e bënë këtë gjë ose nga injoranca e tyre për të vërtetën ndërkohë që mendonin se ata ishin në të vërtetën dhe Ehlus-Sunneti në të kotën, ose nga qëllimi i keq pasi donin të largonin njerëzit nga Ehlus-Sunneti dhe të pasonin mendimet e tyre edhe pse e dinin pavërtetësinë e rrugës së tyre.
Xhehmitë dhe pasuesit e tyre në mesin e Muatilave e quajnë Ehlu-Sunnetin me emrin “Mushebihah” sepse sipas pretendimit të tyre pohimi i cilësive të Allahut detyrimisht çon në përngjasimin e Allahut me krijesat.
Rafidat e quajnë Ehlus-Sunnetin me emrin “Nauasib” (armiqtë e familjes së profetit) sepse Ehlus-Sunneti e duan Ebu Bekrin dhe Umerin sikurse e duan profetin ﷺ. Rafidat pretendojnë se ai që e do Ebu Bekrin dhe Umerin e urren familjen e profetit ﷺ. Kjo është arsyeja pse ata thonë:
“Nuk ka dashuri pa urrejtje.” që do të thotë nuk mund ta duash familjen e profetit ﷺ derisa të mos urresh Ebu Bekrin dhe Umerin.
Kaderitë e quajnë Ehlus-Sunnetin me emrin “Xhebrijeh” (d.m.th i imponuar nga Allahu) sepse sipas Kaderive të besosh në kaderin (caktimin e Allahut) do të thotë të besosh se njeriu është i imponuar nga Allahu në kryerjen e veprave të tij.
Murxhiat, ku përfshihen ata që e përjashtojnë mundësinë që imani mund të pakësohet, këta e quajnë Ehlus-Sunnetin me emrin “dyshuesit” sepse tek Murxhiat besimi përbëhet vetëm nga pohimi i zemrës dhe sipas tyre besimi se imani mund të pakësohet tek këta do të thotë dyshim në besim. Ky është besimi i Murxhiave.
Skolastikët (Ehlul-Kelami) dhe pasuesit e logjikës e quajnë Ehlus-Sunnetin me emrin “Hashuijjeh” që do të thotë se nuk ka asgjë të mirë në ta. Ata gjithashtu i quajnë ata “bari i keq” pasi nuk ka asgjë të mirë në ta. Ata gjithashtu i quajnë ata “llum” të cilin e rrëmben rrjedha e ujit nëpër lugina. Pasuesit e logjikës besojnë se ai që nuk e posedon dhe nuk e zotëron diturinë e logjikës (dhe të arsyetimit) është i pasigurt në lidhje me çështjen e tij, madje ai është i pavlerë dhe në të nuk ka asnjë mirësi.
Por në të vërtetë kjo dije për të cilën ata janë kaq krenarë nuk mund ta zëvendësojë fare të vërtetën.
Shejkhu Ibn Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë në “er-Radd alal-Mantikijjin”:
“E kam ditur gjithmonë se as i mençuri nuk ka nevojë për logjikën greke dhe as budallait nuk i bën dobi.” 1
1 Mexhmu-ul-Fataua (3/52).