Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

37.Shembull i argumenteve të idhujtarëve

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shembuj të kësaj janë kur disa idhujtarë thanë:

”Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (euliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje.” (10:62)

 Ata thanë se ndërmjetësimi është i vërtetë dhe se profetët kanë pozitë tek Allahu. Apo, ata përmendin ndonjë fjalë nga profeti ﷺ për të marrë një argument për një pjesë të gënjeshtrës së tyre, ndërsa ti nuk e kupton atë që thonë ata. Atëherë përgjigju atyre duke thënë:

“Allahu përmend në Librin e Tij se ata që kanë devijim në zemrat e tyre, i lënë ajetet e qarta dhe pasojnë në vend të tyre ato më pak të qarta.”

Shpjegimi

Më pas, autori (rahimehullah) përmend një shembull se si idhujtarët mund të vijnë tek ju dhe të thonë:

“A nuk ka thënë Allahu se:

”Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (eiliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje.” (10:62)?

A nuk posedojnë ata të cilët janë të afërt me Allahun një pozitë tek Ai (subhanehu ue te ala)? A nuk e vërteton Kurani dhe Sunneti ndërmjetësimin (shefatin)?”

Thuaj:

“Po. E gjithë kjo është e vërtetë. Megjithatë, nuk ka asnjë argument për ty që t’i adhurosh këta njerëz të cilët janë të afërt me Allahun, të dërguarit ose ata që kanë të drejtë të ndërmjetësojnë tek Allahu (azze ue xhel). Thënia juaj se e gjithë kjo është argument për pohimin tuaj është një pretendim i rremë. Vetëm një gënjeshtar argumenton me argumente të ngjashme. Ti nuk je asgjë pos një prej tyre për të cilët Allahu ka thënë:

”E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta…” (3:7)

Sikurse t’i kishte zbërthyer këto tekste më pak të qarta me ato të qarta, do ta kishe ditur se ti nuk gjen asnjë argument për pohimin tënd në to.”

Shpërndaje: