Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

5.Vetëm tre lloje të teuhidit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akidah et-Tahauijjeh, fq. 28-29

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Ne themi për Teuhidin (njëshmërinë) e Allahut me suksesin e Tij se ne besojmë se Allahu është Një dhe se Ai nuk ka ortak.

Shpjegimi

Ne do të thotë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati. Teuhidi dhe besimi janë e njëjta gjë. Pavarësisht nëse çështja quhet “teuhid”, “dogm” ose “besim”, atëherë kuptimi është i njëjtë.

Kështu, autori i nënshtrohet Allahut (azze ue xhel), përulë veten para Tij dhe mohon tërë lëvizjen dhe forcën e tij. Njeriu nuk duhet të lavdërojë veten e tij. Ai gjithmonë duhet të shpresojë në suksesin e Allahut dhe të besoj se ai bën gjithçka bazuar në vullnetin dhe lëvizjen e Tij. Kjo i përket sjelljes së dijetarëve (Allahu i mëshiroftë).

Allahu është Një dhe Ai nuk ka ortak. Ky është teuhid. Ai është i vetëm në sundimin e Tij, të drejtën e Tij për adhurim dhe në emrat dhe cilësitë e Tij.

Kjo është, ajo që ne besojmë në lidhje me njëshmërinë e Allahut (azze ue xhel). Njëshmëria e Allahut, teuhidi, do të thotë që të adhurohet Allahu (subhanehu ue te ala) i vetëm dhe të mos adhurohet askush tjetër.

Bazuar në studimet në Kuran dhe sunnet, teuhidi ndahet në tre lloje. Këtë e kanë konstatuar Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati. Ai që shton një kategori të katërt ose të pestë e ka bërë këtë vetëvetiu. Imamët, nga ana tjetër, e kanë ndarë teuhidin në tre kategori sipas Kuranit dhe sunnetit. Të gjitha ajetet e Kuranit dhe hadithet që flasin rreth besimit nuk dalin jashtë tre kategorive.

1 – Teuhid-ur-Rububijeh. Kjo do të thotë që Allahu (subhaneh) është i vetëm në veprimet e Tij. Pra është vetëm Ai që krijon, furnizon, jep jetë, jep vdekje dhe mbikqyrë krijesat. Nuk ka zot tjetër përveç Tij (subhanehu ue te ala), Zotit të botëve.

2 – Teuhid-ul-Ibadeh, i njohur gjithashtu si Teuhid-ul-Uluhijeh. Kjo do të thotë që vetëm Allahu (azze ue xhel) duhet të adhurohet me dashuri, frikë, shpresë, urdhëresa dhe ndalesa. Pra duhet adhuruar vetëm Allahun ashtu siç Ai ka ligjësuar për robërit.

3 – Teuhid-ul-Esma ue Sifat. Kjo do të thotë se të gjitha emrat dhe cilësitë e Allahut të përmendura në Kuran dhe sunnet duhet të pohohen dhe se të gjitha të metat në lidhje me Allahun të cilat Ai ose i dërguari i Tij ﷺ i ka refuzuar, duhen mohuar.

Të gjitha ajetet e Kuranit që kanë të bëjnë me veprat e Allahut i përkasin Teuhid-ur-Rububijeh.

Të gjitha ajetet e Kuranit që kanë të bëjnë me adhurimin, urdhërojnë dhe thërrasin në adhurim, i përkasin Teuhid ul-Uluhijeh.

Të gjitha ajetet Kuranore që kanë të bëjnë me emrat dhe cilësitë e Allahut (azze ue xhel), i përkasin Teuhid-ul-Esma ues-Sifat.

Shpërndaje: