Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

51.Muhamedi ﷺ është dërguar te të gjithë njerëzit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 64-65
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

44 – Ai ﷺ është dërguar tek të gjithë xhinët dhe njerëzit me të vërtetën dhe udhëzimin, dritën dhe shkëlqimin.

Shpjegimi:

Edhe kjo është obligim të besohet në lidhje me profetin ﷺ. Nuk mjafton që vetëm të besohet se ai ishte i dërguari i Allahut, por gjithashtu se ai ishte i dërguari i Allahut për të gjithë xhinët dhe njerëzit.

Allahu (subhaneh) ka thënë:

وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا كَافَّةً لِّلنَّاسِ بَشِيرًا وَنَذِيرًا وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ

“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhde dhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” 1

قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعًا

“Thuaj (Muhamed): ”O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut tek të gjithë ju.”

Shpallja e tij ﷺ u drejtohet të gjithë njerëzve, gjë e cila është prej veçorive të tij ﷺ. Ai ﷺ ishte i dërguar për të gjithë njerëzit dhe të gjitha krijesat duhet t’i binden; arabët dhe jo-arabët, zezakët dhe të bardhët, njerëzit dhe xhinët. Të gjithë ata që u arrinë thirrja e të dërguarit ﷺ duhet t’i binden dhe ta pasojnë atë. Disa nasara (të krishterë) besojnë se ai u dërgua vetëm te arabët. Kjo është kufër dhe përgënjeshtron Allahun (azze ue xhel) dhe të dërguarin e Tij ﷺ.
Allahu (azze ue xhel) thotë:

تَبَارَكَ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقَانَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَالَمِينَ نَذِيرًا

“I Lartësuar me Madhështi është Ai i Cili zbriti ndarësin e së vërtetës nga e  pa vërteta (Kuranin) te robi i Tij (Muhamedi), që të jetë këshillues për gjithë njerëzit dhe xhinët.”

Shpallja e tij është universale. Ai ﷺ vetë tha:

”Çdo profet u dërgua tek populli i tij ndërsa unë jam dërguar tek të gjithë njerëzit.” 4

I dërguari i Allahut ﷺ u dërgoi letra mbretërve të botës dhe i thirri ata në Islam. Kjo dëshmon se ai u dërgua tek mbarë njerëzimi. Ai bëri thirrje për përpjekje që njerëzit të hyjnë në Islam. Kjo gjithashtu dëshmon se shpallja e tij ﷺ është gjithëpërfshirëse. Kjo gjithashtu duhet të besohet.


1 34:28
2 7:158
3 25:1
4 Bukhari (335), (438) dhe Muslim (521).

Shpërndaje: