Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pasi kjo u vërtetua, ju do të shihni se ata do t’i kërkojnë profetëve ndihmë në Ditën e Gjykimit, në mënyrë që ata t’i luten Allahut që t’i gjykojë njerëzit në mënyrë që banorët e xhenetit t’i shpëtojnë frikës që do të përjetojnë.
Kjo është e lejuar në këtë jetë dhe në jetën e përtejme. Shembull i kësaj është që ti të shkosh tek një njeri i mirë dhe i gjallë, i cili është ulur dhe të dëgjon. Pastaj ti i thua atij: “Lutju Allahut për mua ashtu sikurse sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ e kishin zakon t’ia kërkonin këtë atij kur ai ishte gjallë.” Sa i përket pas vdekjes së tij, ata absolutisht nuk iu lutën atij tek varri. Në fakt, Selefët e drejtë gjithashtu qortuan ata që adhuronin Allahun pranë varrit të profetit ﷺ. Çfarë të themi për t’iu lutur atij?
Shpjegimi
Kjo është përgjigja e dytë. Njerëzit do t’u kërkojnë profetëve ndihmë në mënyrë që ata t’i luten Allahut (azze ue xhel) që Ai ti’a largojë krijesave gjendjen e tmerrshme. Ata pra nuk do t’u luten atyre. Ata do t’u kërkojnë që ata të lusin Allahun (azze ue xhel). Ky është një veprim i ligjshëm. Sahabët (radijAllahu anhum) e kishin zakon që t’i kërkonin profetit ﷺ që të lutet për ta. Në “Sahih el-Bukhari” dhe “Sahih Muslim” thotë Enesi (radijAllahu anhu) se një burrë hyri në xhami një të premte ndërsa profeti ﷺ ishte duke mbajtur hutben. Ai tha:
“O i dërguari i Allahut! Pasuritë janë shkatërruar dhe rrugët janë djerruar. Lute Allahun që të na lëshojë shi.”
Megjithatë, ai nuk tha që i dërguari i Allahut ﷺ ti’u jep shi atyre. Ai i kërkoi atij ﷺ që t’i lutet Allahut që Ai t’u jap shi. Profeti ﷺ ngriti duart dhe tha:
“O Allahu! Na lësho shi.”
Ai e përsëriti këtë tri herë. Më pas, Allahu (subhanehu ue te ala) e solli shiun. Një javë e plotë kaloi pa u shfaqur dielli dhe vazhdoi të bjerë shi. Të premten tjetër erdhi ose i njëjti burrë apo një tjetër në xhami dhe tha:
“O i dërguari i Allahut! Pasuritë po përmbysen dhe shtëpitë po rrëzohen. Lute Allahun (te ala) që shiu të ndalet.” Ai i ngriti duart dhe u lut: “O Allah! [Le të bjerë] rreth nesh dhe jo mbi ne. O Allah! [Le të bjerë] në kodra të mëdha dhe të vogla, lugina dhe pemë.” 1
Pastaj shiu u ndal dhe sahabët shkuan ndërsa dielli ndriçonte.
Kjo është që t’i kërkohet të dërguarit të Allahut ﷺ që t’i lutet Allahut (azze ue xhel). Nuk bëhet fjalë as për ti’a lutur të dërguarit të Allahut ﷺ, e as që t’i kërkohet ndihmë atij ﷺ. Me anë të kësaj sqarohet se dyshimi të cilin ata e kanë keqkuptuar nuk u sjell dobi atyre. Në të vërtetë, kjo është e padobishme tek Allahu (azze ue xhel).
Autori (rahimehullah) pastaj përmend se është e lejuar që t’i kërkosh një njeriu të mirë që t’i lutet Allahut për ty. Kjo është e vërtetë. Megjithatë, kjo nuk është diçka që duhet bërë si traditë. Selefët (radijAllahu anhum) nuk e kishin këtë si zakon. Po ashtu ky veprim do të thotë që t’i mbështesh lutjeve të njerëzve. Është e njohur gjerësisht se është më mirë për njeriun që vetë t’i lutet Zotit, për shkak se veprimi është një formë e adhurimit me të cilin njeriu i afrohet Allahut (azze ue xhel). Lutja i përket adhurimit.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Zoti juaj ka thënë: “Më lutuni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehenem.” 40:16
Në qoftë se një njeri i lutet Zotit, ai shpërblehet për këtë adhurim. Pastaj ai i mbështetet Allahut (azze ue xhel) për të arritur të mirën dhe për t’iu shmangur të keqes. Kjo nuk vlen për ata që u kërkojnë të tjerëve që të lusin Allahun për ta. Një person i tillë do të mbështetet në të tjerë pos Zotit, në të njëjtën mënyrë sikurse ai do t’u kthehet të tjerëve më shumë se ai do t’i kthehet Allahut (azze ue xhel). Kjo çështje është e rrezikshme.
Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:
“Konsiderohet që të jetë e urryer nëse personi i kërkon dikujt tjetër që të lutet për të.”
Nëse një person i kërkon dikujt tjetër që të lutet për të, ai duhet të ketë për qëllim që t’i bëj dobi atij me këtë lutje. Ai shpërblehet për të dhe ndoshta arrin atë që përmendet në hadith:
“Nuk ka musliman që lutet për vëllain e tij që nuk është prezent, vetëm se engjëjt i thonë: “Amin! Edhe për ty!” 2
1 Bukhari (1016) dhe Muslimi (897).
2 Muslimi (2732) dhe Ebu Davudi (1534).